A mund të ndikohet gjinia e bebit?

Gjinia e bebit

Si përcaktohet gjinia e bebit?

Një nga pyetjet më të zakonshme që bëjnë çiftet gjatë shtatzënisë është nëse ekziston ndonjë mënyrë për të ndikuar gjininë e bebit. Disa duan vajzë, disa djalë, ndërsa shumë njerëz kërkojnë në internet metoda, dieta apo “sekrete” që supozohet se ndihmojnë për të zgjedhur gjininë e fëmijës.

Në Shqipëri qarkullojnë shumë besime rreth kësaj teme. Disa thonë se forma e barkut e tregon gjininë, të tjerë besojnë tek kalendari kinez apo tek koha e ovulacionit. Por sa prej këtyre janë reale dhe çfarë thotë shkenca moderne?

Në fakt, gjinia e bebit përcaktohet që në momentin e fekondimit. Veza e gruas përmban gjithmonë kromozomin X, ndërsa spermatozoidi mund të përmbajë kromozomin X ose Y. Nëse spermatozoidi që fekondon vezën ka kromozomin Y, fetusi do të jetë mashkull. Nëse ka kromozomin X, fetusi do të jetë femër. Pra shanset për cdo shtatzëni mbeten 50/50.

Për këtë arsye biologjikisht është spermatozoidi ai që përcakton gjininë e fetusit.

A mund të ndikohet gjinia e bebit?

Megjithatë, prej vitesh ekzistojnë teori të ndryshme që pretendojnë se mund të rritet mundësia për të pasur djalë ose vajzë. Një nga më të njohurat është metoda Shettles. Sipas kësaj teorie, spermatozoidet që mbajnë kromozomin Y janë më të shpejta por jetojnë më pak, ndërsa ato me kromozomin X janë më të ngadalta por më rezistente. Për këtë arsye thuhet se marrëdhënia shumë afër ovulacionit mund të favorizojë djalin, ndërsa disa ditë para ovulacionit mund të favorizojë vajzën.

Edhe pse kjo teori është bërë shumë e famshme, studimet shkencore nuk kanë arritur ta provojnë me siguri të plotë.

Miti i formës së barkut

Një tjetër mit shumë i përhapur lidhet me formën e barkut gjatë shtatzënisë. Shpesh dëgjohet se barku i mprehtë tregon djalë, ndërsa barku i rrumbullakët tregon vajzë. Në realitet forma e barkut lidhet më shumë me strukturën trupore të nënës, pozicionin e fetusit dhe tonusin muskulor, jo me gjininë e bebit.

A ndikon ushqimi?

Edhe ushqimet përmenden shpesh. Disa besojnë se ushqimet e kripura favorizojnë djalin, ndërsa ato të ëmbla vajzën. Nuk ekzistojnë prova të forta shkencore që dieta mund të përcaktojë gjininë e fetusit, megjithëse ushqyerja e mirë mbetet shumë e rëndësishme për një shtatzëni të shëndetshme.

Kalendari kinez – pse është kaq popullor?

Një nga metodat më të përdorura nga njerëzit për kuriozitet është kalendari kinez. Ky kalendar kombinon moshën e nënës dhe muajin e konceptimit për të parashikuar gjininë e bebit. Shumë persona argëtohen duke e provuar dhe ndonjëherë rezultati del rastësisht i saktë, por ai nuk konsiderohet metodë shkencore.

Kur mund të zbulohet gjinia e bebit?

Sot gjinia e fetusit mund të zbulohet relativisht herët gjatë shtatzënisë falë metodave moderne diagnostike. Përveç ekografisë, një rol shumë të rëndësishëm ka edhe analiza NIPT.

Si zbulohet gjinia me analizën NIPT?

Kjo analizë realizohet me një mostër gjaku të nënës dhe përdoret kryesisht për të vlerësuar rrezikun për anomalitë kromozomike si Sindroma Down, Trisomia 18 dhe Trisomia 13. Në të njëjtën kohë, analiza mund të identifikojë edhe kromozomet seksuale të fetusit.

Nëse gjatë analizës identifikohet kromozomi Y, fetusi është mashkull. Në mungesë të tij, fetusi është femër.

Në cilën javë zbulohet gjinia me NIPT?

Një nga avantazhet kryesore të analizës NIPT është se gjinia mund të zbulohet relativisht herët, zakonisht pas javës së dhjetë të shtatzënisë. Për më tepër, analiza është jo invazive dhe nuk paraqet rrezik për fetusin, pasi kryhet vetëm me gjak të nënës.

Sa e saktë është analiza NIPT për gjininë?

Saktësia e saj për përcaktimin e gjinisë është shumë e lartë, megjithëse në raste të rralla rezultati mund të ndikohet nga faktorë të caktuar si fetal fraction i ulët apo shtatzënitë multiple.

Ekografia apo NIPT – cila e zbulon më herët gjininë?

Shpesh çiftet duan të dinë nëse analiza NIPT apo ekografia e zbulon më herët gjininë. Në shumë raste, analiza NIPT mund të japë informacion më herët se ekografia tradicionale, ndërsa ekografia bëhet më e saktë në javët më të avancuara të shtatzënisë.

Nëse keni pyetje ose dëshironi të lini një orar, na kontaktoni.

Shpërndaje postimin: