Pse zhvillohet histerektomia ne rrugë laparoskopike
Histerektomia është ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e mitrës dhe është një nga operacionet më të shpeshta në fushën e gjinekologjisë. Tradicionalisht, ky operacion kryhej me prerje të mëdha në bark (histerektomia abdominale), por zhvillimet teknologjike në kirurgjinë minimale invazive kanë sjellë në përdorim histerektominë laparoskopike. Kjo teknikë ka transformuar mënyrën se si trajtohen shumë sëmundje gjinekologjike, duke ofruar lehtësime të shumta për pacientet në krahasim me metodat konvencionale.
Historia dhe zhvillimi i histerektomisë laparoskopike
Pionieri i kirurgjisë laparoskopike gjinekologjike ishte kirurgu gjerman Dr. Kurt Semm, i cili në vitet 1980-të në qytetin Kiel të Gjermanisë zhvilloi teknikat fillestare të laparoskopisë. Ai konsiderohet si një nga themeluesit kryesorë të kësaj fushe. Dr. Harry Reich në vitin 1988 nga Pensilvania, SHBA, ishte i pari që ndërmori me sukses një histerektomi totale me laparoskopi. Qyteti Kiel-it u bë një qendër e rëndësishme akademike dhe klinike, ku trajnohen mjekë nga e gjithë bota në kirurgjinë minimale invazive.
Profesoresha Liselotte Mettler është një tjetër figurë kyçe në historinë e kirurgjisë gjinekologjike minimale invazive. Ajo ka kontribuar shumë në zhvillimin e standardeve, teknologjive dhe edukimit në këtë fushë. Mettler ka botuar qindra artikuj shkencorë dhe ka trajnuar breza të rinj mjekësh, duke përhapur përdorimin e kirurgjisë laparoskopike në mbarë botën. Prof. Dr. Liselotte Mettler mori titullin e lartë “Bundesverdienstkreuz 1. Klasse” nga shteti gjerman në vitin 2025. Kjo është dekorata më e rëndësishme civile në Gjermani.
Teknologjia e kirurgjisë laparoskopike është përmirësuar vazhdimisht, me përdorimin e instrumenteve më të avancuara, kamera me rezolucion të lartë dhe robotikës kirurgjikale. Këto zhvillime e kanë bërë histerektominë laparoskopike një procedurë moderne në trajtimin e patologjive gjinekologjike.
Çfarë është histerektomia laparoskopike dhe si realizohet?
Histerektomia laparoskopike është një procedurë kirurgjikale ku mitra hiqet përmes disa prerjeve të vogla në bark (zakonisht 3-4 prerje, secila 0.5-1 cm). Përmes këtyre prerjeve futet një kamera e vogël (laparoskopi) dhe instrumente kirurgjikale të posaçme në varësi te rastit. Kirurgu monitoron operacionin në një ekran me imazh të përforcuar, duke kryer ndërhyrjen me saktësi të lartë.
Procedura zhvillohet në disa faza kryesore:
Anestezia: Pacientja vendoset nën anestezi të përgjithshme.
Vendosja e trokarëve: Përmes prerjeve të vogla futen tubat e posaçëm (trokarët) që shërbejnë si kanale për instrumentet.
Eksplorimi i zonës: Kirurgu kontrollon organet pelvike dhe vlerëson sasinë e indit që duhet të hiqet.
Disekcioni i mitrës: Me ndihmën e instrumenteve kirurgjikale dhe energjisë elektrike ose lazerit, koagulohen dhe priten indet lidhës, enët e gjakut dhe strukturat përreth mitrës.
Nxjerrja e mitrës: Mitra mund të hiqet në pjesë të vogla, mund të tërhiqet e plotë përmes portave, ose përmes vaginës (nëse procedura është e kombinuar).
Kontrolli final: Verifikohet gjendja e zonës, ndalet çdo gjakderdhje, pastrohet hapësira kirurgjikale.
Mbyllja e prerjeve: Prerjet mbyllen me qepje të vogla estetike dhe sterile.
Llojet e histerektomisë laparoskopike
Në praktikë, histerektomia laparoskopike ndahet në disa forma, sipas gjendjes klinike dhe indikacioneve të pacientes:
Histerektomia totale laparoskopike (TLH): Heqja e plotë e mitrës së bashku me qafën e mitrës.
Histerektomia supracervikale laparoskopike: Hiqet vetëm trupi i mitrës, duke lënë të paprekur qafën.
Laparoscopic-assisted vaginal hysterectomy (LAVH): Operacion ku heqja e mitrës bëhet përmes vaginës, por me ndihmën dhe asistencën e laparoskopisë.
Histerektomia radikale laparoskopike: E përdorur kryesisht për trajtimin e kancerit të mitrës, ku hiqen edhe indet rreth mitrës dhe limfonodet si pjesë e trajtimit onkologjik.
Gjithashtu, një teknologji e re po bëhet më e njohur: vNOTES (Vaginal Natural Orifice Transluminal Endoscopic Surgery). Kjo është një qasje kirurgjikale ku operacioni realizohet përmes vaginës, duke shmangur prerjet në bark dhe duke ulur edhe më shumë traumat dhe kohën e rikuperimit.
Avantazhet e histerektomisë laparoskopike
Më pak dhimbje pas operacionit dhe nevoja më të vogla për medikamente analgjezikë.
Kohë rikuperimi më e shpejtë – shumica e pacientëve mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme brenda pak javësh.
Prerje shumë më të vogla me shenja të vogla estetike.
Komplikacione më të rralla, si infeksione apo gjakderdhje.
Qasje më e mirë në zonat e vështira për tu arritur me kirurgji konvencionale.
Në vitet e fundit, histerektomia në rrugë laparoskopike ka filluar të kryhet edhe në Shqipëri, si nga mjekë shqiptarë të trajnuar jashtë vendit, ashtu edhe nga specialistë të huaj që bashkëpunojnë me qendra private. Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes ndaj kirurgjisë minimale invazive në fushën e gjinekologjisë.
